Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës

Fillimi Lajme dhe ngjarje


Komunikatë për medie - 07 dhjetor 2010

Data 07.12.2010, Prishtinë

 

Komunikatë për medie

 

Me iniciativën e Kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), dr. Blerim Syla, punëtorët shëndetësorë, të cilët janë njëherit edhe anëtarë të FSSHK-së, do ti bashkëngjiten Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) për ti dalë në ndihmë vëllezërve dhe motrave nga Republika e Shqipërisë, të cilët kanë pësuar nga vërshimet e fundit në veri të vendit. Ekipet mjekësore, të organizuara nga FSSHK-ja, do të nisen sot (07.12.2010) së bashku me pjesëtarët e FSK-së për ti ofruar shërbime mjekësore të prekurve nga kjo katastrofë natyrore. Kjo iniciativë u materializua pas takimeve zyrtare, që u zhvilluan në mes të FSSHK-së dhe Ministrisë së FSK-së. FSSHK-ja shfrytëzon rastin që ti falënderoj punëtorët shëndetësor dhe anëtarët e saj, të cilët dëshmojnë humanizmin dhe ndërgjegjshmërinë ndaj popullit të Shqipërisë, i cili hapi dyert për popullin e Kosovës në kohërat më të vështira. Gjithashtu, FSSHK-ja falënderon Ministrinë e FSK-së, e cila mundësoj që përmes bashkëpunimit të ndërsjellë të bënë të mundshëm këtë projekt të FSSHK-së.

 

 

Kryetari I FSSHK-së – Dr. Blerim Syla

 

FSSHK ofron ndihmë solidare për vërshimet e fundit në Shqipëri

Prishtinë, 03.12.2010 - Nën patronatin e Kryetarit të FSSHK-së, dr. Blerim Sylës, në mënyrë zyrtare iu është dërguar shkresa për ndihmë solidare për popullin e Republikës së Shqipërisë, të prekur nga vërshimet e fundit në veri të vendit. Me këtë shkresë, FSSHK-ja iu është drejtuar Minsitrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, për ofrimin e stafit të mesëm dhe atij të lartë mjekësor, me qëllim të zbutjes së katastrofës të shkaktuar nga vërshimet e fundit. Më poshtë e bashkangjesim shkresën në formë të dërguar pranë këtyre insititucioneve.

Për: Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Forcës të Sigurisë së Kosovës, z. Shkëlzen Syla

CC: Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë

Nga: Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), Kryetari  dr. Blerim Syla

Lënda: Ofrim i ndihmës solidare

 

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), si subjekt i pavarur, i bazuar në parime solidare, shprehë gatishmërinë për ofrimin e ndihmës profesionale të stafit të mesëm dhe atij të lartë mjekësor, për qytetarët e Republikës së Shqipërisë të cilët janë goditur nga fatkeqësia natyrore. Me iniciativën e Kryetarit të FSSHK-së, dr. Blerim Syla, dhe pas takimit zyrtar me Sekretarin e Përgjithshëm pranë Ministrisë së FSK-së, z. Shkëlzen Syla, FSSHK-ja në drejtim të zbatimit të normave statutare mbi ndërmarrjen e masave dhe aksioneve për interes të përgjithshëm kombëtar, do të mobilizojë të gjitha kapacitete që ka në dispozicion. Konsiderojmë se për subjektin tonë do të jetë nderë e veçantë kryerja e këtij obligimi kombëtar dhe moral. Shpresojmë se Ju si autoritet shtetëror, do të llogaritni në ndihmën tonë.

 

Sinqerisht,

 

Prishtinë, 03.12.2010

Kryetari i FSSHK-së

Dr. Blerim Syla

 

FSSHK shpalosë Platformën e veprimit sindikal

Prishtinë, 01.12.2010 - Pas mbledhjës së Kryesisë së FSSHK-së, e cila u mblodh me qëllim të analizimit të gjendjes së punëtorëve shëndetësor në pragë të periudhës parazgjedhore, nën patronatin e Kryetarit të FSSHK-së u mbajt një konferencë për medie. Në këtë konferencë Federata përmes prononcimit të Kryetarit të FSSHK-së, dr. Blerim Sylës, shpalosi qëndrimin e vet kundrejtë periudhës parazgjedhore në të cilën gjendet Kosova. Kryetari i Federatës, në këtë konferencë deklaroi se Kryesia e FSSHK-së në mbledhjen e mbajtur me 1 Dhjetor, ka ardhë në përfundim se pozita e punëtorëve shëndetësor është e rëndë dhe kaotike. Kryetari deklaroi se pas analizës së përgjithshme që e bëri Kryesia e Federatës, ka nxjerë konkluzionin se FSSHK-ja nuk do të paragjykojë asnjë rezultat zgjedhorë dhe se pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe konstituimit të Parlamentit dhe Qeverisë së ardhshme, do të proklamon kërkesat e veta dhe në periudhën gjashtëmujore do të kërkohet implementimi urgjent i këtyre kërkesave. Kërkesat të cilat i shpalosi Kryetari janë në drejtim të përmirësimit të mirëqenies sociale të të gjithë punëtorëve shëndetësor, aprovimi i lilgjeve që konsiderohen si urgjent për administirmin e sektorit shëndetësor dhe personelit në këtë sektor dhe mënjanimi i defunksionalitetit të institucioneve shëndetësore.

Në rast se këto kërkesa nuk do të realizohen në gjashtë mujorin e parë të periudhës post zgjedhore, FSSHK-ja do të ndërmerr të gjitha masat sindikale në drejtim të realizimit të këtyre kërkesave. Këto kërkesa bazohen në Platfomën e veprimit sindikal, e cila paraqet kornizën dhe boshtin e veprimit të Federatës. Me këtë rast, gazetarëve iu shpërnda nga një ekzemplar i Platformës, me qëllim të shpalosjes së kornizës të veprimit sindikal të FSSHK-së.

 

FSSHK uron 28 Nëntorin

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), nën patronatin e Kryetarit të FSSHK-së, dr. Blerim Syla, Kryesisë së Federatës dhe stafit profesional, në emër të FSSHK-së Ju urojnë Festën e 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit Kombëtar, të gjithë liderëve sindikal të Federatës, anëtarëve të saj, mbar popullilt të Republikës së Kosovës.dhe të gjithë shqiptarëve kudo që gjinden. Shpresojmë se 99-të vjetorin e ardhshëm ta presim në begati dhe mirëqenie, duke shpresuar në të ardhme me prosperitet dhe sukses.

 

Me respekt,

Kryetari i FSSHK-së - Dr. Blerim Syla

 

Komunikatë për medie - 26 Nëntor 2010

Data 26.11.2010, Prishtinë

 

Komunikatë për media

 

Në bazë të ndërgjegjes së solidaritetit sindikal si dhe natyrshmërisë së procesit të punës së punonjësve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore (DML) pranë Ministrisë së Drejtësisë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës mbështet fuqishëm kërkesat e punëtorëve të këtij institucioni, duke i konsideruar si të drejta dhe legjitime. Me këtë rast FSSHK-ja, edhe njëherë shpreh indinjatë të thellë për shkak të neglizhencës dhe pakujdesisë të personave të autorizuar pranë kësaj ministrie, të cilët për shkak të matrapazllëkut të tyre krijojnë rrethana diskriminuese brenda institucionit përkatës.

Andaj, duke u mbështet në faktin se në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë janë të përfshira mjetet financiare për ngritjen e pagave prej 30% për punëtorët të DML-së dhe në bazë të faktit se 22 nga 47 punëtorë të këtij institucioni gëzojnë ngritjen prej 30%, fuqishëm mbështesim 25 punëtorët të DML-së të cilëve nuk iu kompensohet ngritja e pagave prej 30% nga 01.01.2010. Andaj duke marr parasysh profilin profesional të këtyre profesionistëve të mjekësisë ligjore, FSSHK-ja fuqishëm e mbështet aksionin e ndërmarrë nga këta punëtorë.

 

Kryetari I FSSHK-së – Dr. Blerim Syla

 

Komunikatë për medie - 19.11.2010

Data 19.11.2010, Prishtinë

Komunikatë për media

 

Sot, me datë 19 Nëntor 2010, Kryetari i FSSHK-së, dr. Blerim Syla, së bashku me Nënkryetarin e FSSHK-së, z. Blerim Delija dhe  Kryetarin e Këshillit Drejtues të FSSHK-së, dr. Jahir Lajqi, me qëllim të përkrahjes së plotë të punëtorëve shëndetësor të QKMF-Mitrovicë, iu janë bashkangjitur protestës në përkrahje të kolegut Dr. Veton Pllana, i cili ditë më parë është sulmuar fizikisht nga përcjellësit e pacientit. Me këtë veprim të strukturës më të lartë të FSSHK-së, edhe një herë vërtetohet angazhimi dhe përpjekja e organizimit sindikal në sektorin e shëndetësisë, që t’iu dalë në krahë të gjithë punëtorëve shëndetësor pa marr parasysh se a janë anëtar të FSSHK-së apo jo. Në këtë drejtim, udhëheqësit e lartë të FSSHK-së konfirmojnë vendosshmërinë për të parandaluar veprimet barbare të personave të pandërgjegjshëm, të cilët cenojnë integritetin personal dhe fizik të punëtorëve shëndetësor.

FSSHK-ja, edhe një herë apelon tek organet kompetente, që të ushtrojnë pushtetin e tyre të garantuar me Kushtetutë dhe Ligj, në mënyrë që personat që ndërmarrin këto veprime, të sillen para drejtësisë dhe tu shqiptohet dënimi meritor

Kryetari I FSSHK-së – Dr. Blerim Syla

 

Komunikatë për medie - 18.11.2010

Data 18.11.2010, Prishtinë

 

Komunikatë për media

 

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), duke përsëritur tash e disa herë apelin për marrjen masave preventive për ndaljen e dhunës ndaj punëtorëve shëndetësor në vendin e punës, edhe një herë dënon ashpër sulmin ndaj punëtorit shëndetësor, Dr. Veton Pllana, pranë QKMF-Mitrovicë. Duke i përkrahur fuqishëm punëtorët shëndetësor të këtij institucioni, të cilët nuk hezituan të protestojnë në përkrahje të kolegut të tyre, FSSHK-ja shpreh zhgënjimin për dhunën fizike të shprehur ndaj punëtorëve shëndetësor, që ka tiparet klasike të një barbarizmi mesjetar. Edhe njëherë, me përgjegjësi të plotë si organizatë e cila përfaqëson punëtorët shëndetësor në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, kërkojmë nga organet kompetente që urgjentisht ti ndërmarrin të gjitha hapat dhe masat e nevojshme për krijimin e sigurisë në vendin e punës për të gjithë personelin e sektorit shëndetësor. Njëherit FSSHK-ja i jep përkrahje të plotë Sindikatës së Shëndetësisë pranë QMF-ve Mitrovicë lidhur me vendimin e organizimit të protestës tre-ditore nga kjo Sindikatë.

Shpresojmë ky rast do të paraqet kapitullin përmbyllës të terrorizimit të njerëzve të cilët japin mundin për të shpëtuar jetë.

Kryetari I FSSHK-së – Dr. Blerim Syla

 

Urimi i FSSHK-së me rastin e festës së Kurban Bajramit

Të nderuar lider të sindikatave, anëtarë dhe qytetar,

 

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), nën patronatin e Kryetarit të FSSHK-së, dr. Blerim Syla, Kryesisë së Federatës dhe stafit profesional, në emër të FSSHK-së Ju urojnë Festën e Kurban Bajramit të gjithë liderëve sindikal të Federatës, anëtarëve të saj, si dhe mbar popullilt të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, FSSHK-ja ju dëshiron shëndet, paqe dhe mirëqenie në familjet e Juaja dhe shoqërisë Tuaj. Shpresojmë, se çdo festë do të na sjellë begati dhe unifikim në arritjen e qëllimeve Tona të përbashkëta.

15.11.2010, Prishtinë

Me respekt,

Kryetari i FSSHK-së - dr. Blerim Syla

 

Vendimet dhe Konkluzionet nga mbledhjes e Kryesisë së Federatës - 29-30.11.2010

 

Më shumë...
 

Mbahet Konferenca Zgjedhore e Komitetit të Rinisë së FSSHK-së

Prishtinë, 4 Nëntor 2010 - Në bazë të skadimit të mandatit të Kryesisë së Komitetit të Rinisë së FSSHK-së, me 4 nëntor është mbajtur Konferenca e II-të zgjedhore e Komitetit të Rinisë së FSSHK-së. Me këtë rast, sipas normimeve statutare, është bërë edhe harmonizimi i organeve të bazuara në ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të FSSHK-së, ku tani Komiteti i Rinisë parashihet si organ statutar i cili përfaqëson grupmoshën e anëtarëve të Federatës deri në moshën 35 vjeçare. Në këtë Konferencë kanë marr pjesë përfaqësuesit e të gjitha Sindikatave, sipas çelësit të përfaqësimit ku secila sindikatë është përfaqësuar me 1 delegatë për çdo 100 anëtarë të Federatës. Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të FSSHK-së, Dr. Blerim Syla, i cili shprehi kënaqësinë për interesimin e të rinjëve për t'iu bashkuar aktivitetit sindikal. Me këtë rast, është bërë miratimi i Rregullores së Punës, sipas të cilës vazhduan punimet e Konferencës. Në këtë Konferencë Zgjedhore u zgjodh Kryesia e Komitetit të Rinisë, ku edhe u zgjodhë Kryetari i Komitetit të Rinisë. Në këtë garë u kandiduan 6 delegatë: Jehona Kuqi, Ardian Xhemëshiti, Majlinda Haxhollli, Enis Shabani, Anita Shala dhe Arben Kastrati. Zgjedhjet u monitoruan nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Federatës dhe Komisioni Verifukues, të cilët sipas vërtetimit të gjendjes faktike dhe juridike, i shpallën rezultatet përfundimtare. Sipas këtyre rezultateteve, u zgjodh Kryesia e Komitetit prej pesë anëtarëve, ku në bazë të shumicës së votave si kryetari i komitetit u zgjodh z. Enis Shabani, dy nënkryetar  Ardian Xhemëshiti dhe Majlinda Haxholli dhe dy anëtarë të Kryesisë, Anita Shala dhe Arben Kastrati. Punimet e saj Konferenca  i përfundoi me përmbylljen e procesit zgjedhor dhe fjalimin e kryetarit të komitetit të rinisë. Më poshtë do të paraqesim në mënyrë grafike, rezultatet nga zgjedhjet e komitetit të rinisë.

 

 

Miratohet Ligji i Punës - FSSHK e fitoi betejën, por lufta nuk mbaroi

Prishtinë, 03. Nëntor. 2010 - Pas leximit të dytë të projekt-ligjit të punës, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi ligjin e punës, pas miratimit të 47 amandamenteve të propozuara nga Komisioni parlamentar për shëndetësi dhe mirëqenie sociale dhe amandamentet e propozuara nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Miratimi i ligjit të punës paraqet një të arritur të madhe për shtresën e punëmarrësve të Kosovës, por konsiderohet edhe një e arritur e madhe për shtetin e Kosovës pasi që ky ligj paraqet një nga bërthamat e legjislacionit vendor. Andaj, duke marr parasysh aktivitetin e Federatës për nxjerrjen e një ligji kualitativ dhe garantues të të drejtave të punëmarrësve. I gjithë aktiviteti i Federatës, i cili u organizua nën patronatin e Kryetarit të Federatës, Dr. Blerim Syla, konsiderohet si një aktivitet me rezultat që dha një frytë të çmueshëm, gjegjësisht miratimin e ligjit të punës së bashku me amandamentet e propozuara nga Federata dhe të përkrahura nga më se 8 000 nënshkrime të peticionit për pushimin e lehonisë.

Tani Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës nuk do të pushon me aktivitete e saj, dhe konkretisht në agjendën e saj si pikë kryesore është krijimi i skemës për sigurime shëndetësore, duke pregatitur një ligj kualitativ mbi sigurimet shëndetësore. Prandaj, FSSHK-ja vazhdon betejat e saj për realizimin e kërkesave të plota të punëtorëve shëndetësorë në veçanti, punëtorëve të gjitha profileve në përgjithësi.

 

Punëtorët shëndetësor, sërish objekt i sulmit fizik

Gjilan, 02. Nëntor. 2010 - Në repartin e emergjencës të Spitalit Rajonal të Gjilanit, në orët e mesditës, punëtorët e këtij reparti, Ismajl Basha (1974) - teknik i emregjencës dhe Florim Ibrahimi (1983)-teknik i emergjencës, janë sulmuar në mënyrë brutale nga përcjellësit e pacijentit i cili u pranua për kurim pranë Spitalit Rajonal të Gjilanit. Federata me të marrit e informatave nga tereni, ka kontaktuar në mënyrë urgjente me Kryetarin e Sindikatës së SR-Gjilan, Dr. Selami Kurteshi, i cili në mënyrë të hollësishme e ka njoftuar Federatës mbi sulmin e krzer ndaj punëtorëve shëndetësorë. Me këtë rast, Dr.Kurteshi ka informuar Federatën, se në ditën e nesërme, gjegjësisht më 03.11.2010, punëtorët shëndetësor të SR-Gjilan do të mbajnë një protestë një orëshe, e cila do të organizohet nën patronatin e Sindikatës së SR-Gjilan. Federata shpreh indinjatën e thellë për këtë rast me motive të ulta, ku siguron anëtarët e saj se do të ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm me qëllim të luftimit të kësaj dukurie negative.

 

Nënshkruhet memorandumi rajonal në mes të FSSHK-së dhe sindikatave rajonale

Prishtinë, 14 tetor 2010 - Në punimet e ditës së dytë të Konferencës së I-rë Rajonale, me iniciativën e kryetarit të FSSHK-së, Dr. Blerim Syla, dhe pajtimin e përfaqësuesve të sindikatave simotra të rajonit, është nënshkruar memorandum bashkpunimi. FSSHK-ja si nikoqire e kësaj konference, ka inicuar që kjo konferencë të marr karakter tradicional, dhe që mbajtja e saj të bëhet për çdo vit në mënyrë tradicionale. Për ta forcuar bashkpunimin rajonal, duke ofruar ndihmes sindikale të ndërsjellë, me këtë memorandum synohet që të bëhet unifikimi i forcave sindikale në rajon. Ky memorandum është mirëpritur nga të gjithë përfaqësuesit në këtë konferencë, dhe është nënshkruar nga të njejtit. Më poshtë ju sjellim origjinalin e këtyre memorandumeve në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze.



Duke u mbështetur në misionin solidar, ndërgjegjies dhe përgjegjësisë humane, autorizimin përfaqësues të punëmarrësve, në cilësinë e subjekteve të pavarura, me mirëbesim nxjerrim këtë:

M E M O R A N D U M

Bashkëpunimi

Më shumë...
 

FSSHK-ja dhe AMK-ja zyrtarizojnë bashkëpunimin

Prishtinë, 14. tetor. 2010 - Me rastin e mbajtjes së Konferencës së I-rë Rajonale, të organizuar nga FSSHK-ja, Kryetari i FSSHK-së, Dr. Blerim Syla, nënshkroi memorandum bashkpunimi me prof. assoc. Dr. Naser Ramadani, Kryetar i Akademisë së Mjekëve të Kosovës (AMK). Me këtë memorandum, palët synojnë një bashkpunim të ngushtë, qoftë në sferën e përgjithshme të sektorit të shëndetësisë, si dhe mbrojtjen dhe avansimin e stafit profesional mjekësor. Me këtë akt mirëkuptimi, synohet që të bashkohen forcat e këtyre dy subjekteve relevante, në drejtim të ngritjes së kapaciteteve dhe kushteve të përgjithshme në sektorin e shëndetësisë në Republikën e Kosovës. Më poshtë ju sjellim memorandumin në teskt origjinal të nënshkruar nga kryetarët e këtyre dy subjekteve.

 

Më shumë...
 

FSSHK-ja nikoqire e Konferencës Rajonale

Prishtinë, 12 tetor 2010 - Në kuadër të realizimit të projektit " Ndërtimi i dialogut social në sektorin e shëndetësisë në Kosovë", në bashkpunim me Qendrën për solidaritet sindikal të Finlandës, FSSHK-ja organizon Konferencën rajonal dy-ditore (13-14 tetor, Prishtinë), me temë "Sigurimet shëndetësore dhe dialogu social ".  Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha vendeve të rajonit, duke përfshirë përfaqësuesit nga: Shqipëria, Kroacia, Serbia, Mali i zi, Maqedonia, Bosnia dhe Hercegovina. Në këtë Konferencë do të marr pjesë edhe përfaqësuesi i zyrës për evropën jug-lindore, z. Josef Krejbych, si dhe në nivel ekspetësh do të jenë prezent mysafir nga Kanada dhe Finlanda. Gjithashtu në këtë konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e insititucioneve vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. I gjithë organizimi mbahet nën patronatin e Kryetarit të FSSHK-së, Dr. Blerim Syla.

 

Mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues të BSPK-së, Naim Makolli zgjedhet nënkryetar i BSPK-së

Suharekë, 07. shtator. 2010 - Më 07 shtator, në Suharekë është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues të BSPK-së. Në këtë mbledhje, përpos delegatëve të rregullt të sindikatave anëtare të BSPK-së, ishte prezent edhe koordinatorja e zyrës së ITUC-ut për Evropën Jug-Lindore, znj. Enisa Salimoviç. Kjo mbledhje u mabjtë në drejtim të implementimit të rekomandimeve të ITUC-ut për reformimin e BSPK-së, si dhe angazhimeve të BSPK-së sipas këtyre rekomandimeve. Në suazën e implemnitimit të rekomanidmeve të ITUC-ut, në këtë mbledhje është bërë edhe zgjedhja e Nënkryetarit të BSPK-së, ku si kandidat i vetëm është prezentuar z. Naim Makolli. Përzgjedhja e z. Naim Makollit është bërë me koncenzus të delegatëve të pranishëm. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe çështjet tjera me rëndësi.

 

Komunikatë për medie - 06.10.2010

Data 06.10.2010, Prishtinë

 

Komunikatë për medie

 

Me qëllim të arritjes të së drejtës në realizimin e shtesës në pagë prej 44 eurove për vitin 2009, punëtorët shëndetësor të QMF-ve të komunës së Podujevës, të organizuar nën ombrellën e Sindikatës së QMF-Podujevë, vazhduan edhe sot grevën e tyre. Këshilli grevistë, edhe pas tentimeve për ndërtimin e dialogut social të mbështetur në frymën e mirëkuptimit, nuk arritën që pas takimit me kryetarin e KK Podujevë të lidhin një marrëveshje mbi kthimin e borxheve të komunës ndaj punëtorëve shëndetësor. Të pakënaqur me premtime gojore dhe mos arritjen e një marrëveshje me shkrim me kryetarin e KK Podujevë, Këshilli grevistë vendosi që të vazhdon grevën në të gjitha njësit e QMF-ve të Podujevës, deri në realizimin e një marrëveshjeje me shkrim, me të cilën do të garantohej zbatimi i plotë i detyrimit ekzistues ndaj punëtorëve shëndetësor të kësaj komune. Me këtë rast, në shenjë të përkrahjes për punëtorët shëndetësor të Komunës së Podujevës, që të dy nënkryetarët e FSSHK-së, z.Blerim Delija dhe z.Naim Makolli, vizituan grevistët e QMF-ve të Podujevës dhe shprehën përkrahjen e plotë të Federatës për masat e tyre sindikale, deri në realizimin e kërkesave të tyre legjitime.

 

Kryetari I FSSHK-së – Dr. Blerim Syla

 

Komunikatë për medie - 05.10.2010

Data 05.10.2010, Prishtinë

 

 

Komunikatë për medie

 

Ministria e Shëndetësisë si organ më i lartë menaxhues i sistemit shëndetësor në territorin e Republikës së Kosovës, edhe njëherë dëshmon se nuk është e interesuar për gjendjen e punëtorëve shëndetësor dhe paraqitet si sabotues kryesor i dialogut social në nivel vendi. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, e ndërgjegjshme para anëtarëve të saj parimisht, dhe punëtorëve shëndetësor në përgjithësi, tenton që të zhvillon marrëdhënie korrekte dhe në interes të përmirësimit të mirëqenies sociale të punëtorëve shëndetësor, prapë iu është dëshmuar  jo sinqeriteti i udhëheqësisë së MSH-së. Me kërkesën e Kryetarit të FSSHK-së, është kërkuar një takim me Sekretarin permanent të MSH-së, i cili refuzon takimin pa arsye. Me këtë veprim konfirmohet neglizhenca e këtij institucioni për rolin që e gëzon sipas autorizimeve ligjore, dhe vërtetohet angazhimi më i madh politik e partiak sesa evitimi i problemeve në sistemin shëndetësorë. Si ministri, si ish-U.D i sekretarit, po ashtu edhe sekretari permanent nuk kanë dëshmuar asnjëherë gatishmërinë e tyre që të ballafaqohen me realitetin e mjerë të punëtorëve shëndetësor. Duke marr parasysh të gjitha tentativat e sabotimit të dialogut social nga ana e MSH-së, brishtësisë së komunikimit në mes të FSSHK-së dhe MSH-së, definitivisht krijohen rrethanat të detyrueshme që FSSHK-ja të nisë procedurë gjyqësore kundër MSH-së për shkak të shkeljes së Kontratës Kolektive dhe shkeljeve të procedurave administrative. Gjithashtu, organet kompetente të FSSHK-së, do të shqyrtojnë situatën e krijuar nga MSH-ja, dhe konform gjendjes do të vendosin për masat sindikale që duhet të ndërmerren. FSSHK-ja edhe një herë i bënë thirrje publike Ministrit dhe Sekretarit, që të merren me problemet në shëndetësi duke i lënë anash aktivitetet partiake dhe të fillojnë dialogun sa më parë me FSSHK-në, për zgjidhjen e problemeve në shëndetësi.

 

Kryetari I FSSHK-së – Dr. Blerim Syla

 

Kryetari i FSSHK-së takohet me Kryetarin e Akademisë së Mjekëve të Kosovës

Prishtinë 01.tetor.2010 - Kryetari i FSSHK-së, Dr. Blerim Syla, takoi Kryetarin e Akademisë së Mjekëve të Kosovës, Dr. Naser Ramadani. Ky takim u realizua në vazhdën e angazhimeve të Dr. Blerim Sylës, që përmes kontakteve me shoqatat përfaqësuese të stafit profesional mjekësor, të ndërmerret një inciativë gjithë përfshirëse për një veprim konkret me qëllim të përmirësimit dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale në sektorin shëndetësor. Gjatë takimit u diskutuan shumë çështje të rëndësishme lidhur me gjendjen e sistemit shëndetësor në Republikën e Kosovës, si dhe për gjendjen e stafit mjekësor në vendin tonë. Në këtë takim u konkludua nevoja e përpilimit dhe nënshkrimit të një memorandumi në mes të dy subjekteve, me të cilën do të vihej një bashkpunim afatgjatë në mes të FSSHK-së dhe AMK-së.

 

Komunikatë për medie - 01.10.2010

Data 01.10.2010, Prishtinë

 

 

Komunikatë për medie

 

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), me rastin e sulmit fizik ndaj mjekut dhe kolegut tanë Dr. Arsim Morina, shprehë indinjatën e thellë për këtë vepër terrorizuese. Ngrisim zërin tonë, të vendosur që të mbrojmë dinjitetin dhe vlerën njerëzore, që një herë e përgjithmonë këto veprime barbare të ndalen dhe të gjejnë dënimin meritor për kryerësit e këtyre veprimeve. Në këtë drejtim apelojmë tek i tërë komuniteti kosovar, e në veçanti tek organet e sigurisë që të ndërmerren të gjitha masat që i parasheh ligji, në mënyrë që personat e tillë të sjellën para drejtësisë. Sindikata e QKUK-së do të mbledhë kryesinë e saj që të shqyrton rastin në fjalë ku do të ndërmerren hapat mëtutjeshëm në përputhje me vendimet e marra nga Këshilli Drejtues i FSSHK-së. FSSHK-ja dhe Sindikata e QKUK-së do të përdorë të gjithë autoritetin në mbrojtje të punëtorëve shëndetësor dhe anëtarëve të saj.

 

Kryetari i FSSHK-së – Dr. Blerim Syla

 


Page 4 of 5

Statuti i FSSHK-së