Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës

Fillimi Për ne Shkrime profesionale Sistemi i sigurimeve shoqërore në Kosovë

Sistemi i sigurimeve shoqërore në Kosovë

 

 

Për tu ndërlidhur me këtë, nëse e shqyrtojmë sistemin e sigurimeve shoqërore në Kosovë, qoftë nga prizma historike apo ajo kualitative, do të vijmë në përfundim se kemi një konglomerat të rregullimeve të brendshme brenda sistemeve në të cilat ka kaluar Kosova. Ky konglomerat u krijua nga fazat e ndryshme tranzicionale nëpër të cilat ka kaluar Kosova në gjashtëdhjetë vitet e fundit.

E kaluara

Në aspektin historik mund të konkludojmë në mënyrë të argumentuar se Kosova, edhe pse i përmbushte të gjitha prezimumet për tu dalluar si territor me administrim të veçantë, ajo u privua nga kjo e drejt, dhe në një mënyrë diskriminuese pa e respektuar vullnetin e popullit u aneksua si pjesë e federatës Jugosllave pas luftës së dytë botërore. Në këtë drejtim Kosova administrohej me legjislacionin e atëhershëm të kësaj Federate.

Nëse e bëjmë një analizë historike, mund të shohim se sistemi i sigurimeve shoqërore, duke përfshirë këtu edhe ato shëndetësore, filloj të zbatohet me nxjerrjen e akteve të para ligjore që rregullonin këtë sferë shoqërore. Dhe kështu që ndër aktet e para me të cilat rregulloheshin sigurimet shoqërore ishte zbatimi i Ligjit mbi rregullimin e gjykatave për sigurime shoqërore/ maj 1945. Pas kësaj janë nxjerrë edhe një sërë akte me të cilat është tentuar që të zgjërohet gama e këtyre sigurimeve për kategoritë e ndryshme shoqërore. Koncepti i sigurimeve shëndetësore u ndryshua sidomos me ndryshimet kushtetuese në Federatën e ish-Jugosllavisë, ku në vitin 1965 u miratua Ligji mbi sigurimin pensional si dhe ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit mbi sigurime shëndetësore. Sipas legjislacionit të atëhershëm, shteti duhej të krijonte një fond të veçantë me të cilin në rend të parë do të siguroheshin të gjitha shtetasit për kujdesin bazik shëndetësorë, e ku ky fond do të plotësohej edhe nga kontributet në të ardhurat personale të popullsisë aktive (të punësuar).

 

Mirëpo me rënien e sistemit komunist dhe me ardhjen në pushtet të shovinistëve serb në krye me partinë socialiste të Serbisë, sistemi i sigurimeve shoqërore në përgjithësi është demoluar mbi baza etnike. Kështu që popullata shqiptare e Kosovës, krahas represioneve të ndryshme u diskriminua dhe u ngulfat përmes privimit të drejtës në sigurime shëndetësorë dhe kategorive të tjera. Që nga vitet e ’90, popullit të Kosovës iu mohua çdo e drejtë themeltare pa marr parasysh kategorinë shoqërore të cilës i përkiste individi. Në këtë periudhë dhjetë vjeçare, kosovaret jetuan në një geto, në të cilin u mohohej e drejta në jetë, e lëre se ishte privuar nga përkujdesja shoqërore.

Me fillimin e luftës së lavdishme të UÇK-së dhe me intervenimin e Aleancës veri-atlantike NATO, Kosova u çlirua nga okupimi serb, dhe kështu filloi një epokë e re për Kosovën dhe qytetarët e saj. Nga viti 1999 e deri me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurtë të vitit 2008, Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, përmes një misioni të veçantë (UNMIK) i dal nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Gjatë këtij administrimi u krijua një vakum i paparë edhe institucional dha ai juridik që pamundësoj trajtimin e drejtë të shtresave shoqërore në territorin e Kosovës. Si duket në këtë aspekt nuk pati një vullnet të mirëfilltë për të krijuar një bazë mbi përkujdesjen sociale, e sidomos për përkujdesjen shëndetësore. Mungesa e infrastrukturës ligjore bëri që të krijohen konsekuencat të ndryshme mbi përkujdesjen shëndetësore në Kosovë. Qytetarët e Kosovës, i kaluan edhe një dekadë pa një sigurim shoqërorë, e sidomos atë shëndetësorë.

 

E tashmja

Edhe pse kanë kaluar dy vite nga shpallje e pavarësisë, Kosova ende nuk ka një skemë ekzakte të sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe ato shëndetësore në veçanti. Lidhur me këtë problematik, mund të theksojmë se nuk kemi edhe infrastrukturë të mirëfilltë me të cilën do të rregulloheshin çështjet në veçanti. Momentalisht kemi një skemë të asistencës sociale, me të cilën as përafërmi nuk mund të mbulohen kërkesat individuale e lëre ato familjare. Nuk është edhe tepër e arsyeshme se kënd duhet ta akuzojmë për këtë rrëmujë sociale, mirëpo duhet të vijmë në përfundim se Kosova nuk ka një skemë gjithëpërfshirëse me të cilën do të rregulloheshin sigurimet shoqërore. Infrastruktura ligjore momentalisht është teje e mangët, dhe në këtë drejtim ajo nuk mbulon as përafërmi kategoritë e veçanta shoqërore. Për sigurime shëndetësore as që mund të flitet sepse as që kemi një model ekzistues me të cilin do të mund të ofroheshin shërbimet shëndetësore në bazë të skemës të këtyre sigurimeve. Në vitin 2007, është përpiluar ligji për sistemin e sigurimit shëndetësorë, i cili ka synuar që të siguronte fondin nga të vjeguarve nga tatimet e të ardhurave personale. Më vonë, me arsyetimin se kjo metodë nuk mund të siguron mjete të mjaftueshme për jetësimin e skemës për sigurime shëndetësore, ky projekt ligj është kthyer në rishqyrtim. Lidhur me krijimin e fondit për sigurime shëndetësore janë përfolur shuma të ndryshme me të cilat mund të funksionalizoheshin këto sigurime. Por në fund mund të theksojmë se Kosova ka një kapacitet financiar me të cilin do të mund të themelonte të paktën një fond solid me të cilin do të siguroheshin të gjithë qytetarët e Kosovës. Për këtë angazhim do të duhej mundi i nismave ndërministrore, ku në bazë të kompetencës ligjore përmes një bashkëpunimi të mirëfilltë do të hartohej një skemë mbi sigurime shëndetësore.

Nëse e bëjmë një studim krahasues, do të shohim se Kosova për nga sigurimet shëndetësore ngelet shumë mbrapa në krahasim me vendet e rajonit, por edhe vendet botërore në përgjithësi. Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk ka ligj mbi sigurime shëndetësore, dhe ka mungesë të një skeme adekuate për implementimin e këtyre sigurimeve. Disa nga shtet në rajon kanë ligjet themeltare mbi sigurime shoqërore, e disa nga shtetet rajonale çështjet e sigurimeve shëndetësore i rregullojnë me ligj të veçantë.

 

Kritika për këtë duhet ti drejtohet institucionit të autorizuar për menaxhimin objektivave për krijimin e sigurimeve shëndetësore, në këtë rast Ministrisë së Shëndetësisë. Mangësia e interesimin e krijimit të një fondi të mirëfilltë dhe krijimin e një infrastrukture juridike për menaxhimin e këtyre fondeve, shfaqet sidomos në dokumentin të emëruar “ Strategjia e sektorit të shëndetësisë 2010-2014” në të cilën paraqiten pesë objektivat strategjike, si:

  1. Zvogëlimi i përgjithshëm i sëmundjeve dhe vdekshmërisë,
  2. Menaxhimi i burimeve, hapësirave dhe cilësisë së shërbimeve,
  3. Funksionalizimi i sistemit shëndetësor me infrastrukturë moderne,
  4. Zbatimi i sistemit informativ shëndetësor,
  5. Krijimi i mekanizmit të qëndrueshëm financiar.

 

Siç shihet nga ky dokument, përkatësisht këtyre pesë pikave të objektivit të këtij dokumenti, në asnjë pikë nuk është precizuar në mënyrë eksplicite tendencat dhe përkushtimi për krijimin e një sistemi të sigurimeve shëndetësore.

 

E ardhmja

Marr parasysh periudhat e ndryshme në të cilat ka kaluar Kosova, mund të themi se është nevojë e madhe që të hartohet një skemë kombëtare e sigurimeve shoqërore duke përshirë këtu edhe sigurimet shëndetësore. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, si aktere relevante në sektorin e shëndetësisë dhe si partnere e përhershme në dialogun social në nivel vendi, angazhohet në veçanti për krijimin e kushteve dhe themelimin e bazave kryesore për ekzistimin e një programi për sigurime shëndetësore.

Në këtë drejtim, FSSHK-ja angazhohet për ndërtimin e infrastrukturës ligjore, që nënkupton hartimin e ligjit mbi sigurime shëndetësore, me qëllim që të krijohet korniza dhe baza juridike e sigurimeve shëndetësore. Me këtë FSSHK-ja synon që të bëhet një ambient i qëndrueshëm i këtyre sigurimeve dhe që institucionet të cilat do ta zbatonin, të kenë një bazë të fortë ligjore.

Andaj objektivat e FSSHK-së janë:

  • FSSHK-ja angazhohet për ndërtimin e infrastrukturës ligjore, që nënkupton hartimin e ligjit mbi sigurime shëndetësore, me qëllim që të krijohet korniza dhe baza juridike e sigurimeve shëndetësore.
  • Sigurimi shëndetësor për të gjithë qytetarët
  • Ofrimi i shërbimeve kualitative
  • Bashkëpunimi rajonal me sindikatat rajonale simotra dhe shoqërinë civile

 

Me ndërtimin e skemës të sigurimeve shëndetësore, FSSHK-ja aludon që nga kjo skemë të përfitojnë të gjithë qytetarët e republikës së Kosovës, por gjithmonë duke u nisur nga kategorizimi i shtresave shoqërore, që nënkupton një skemë gjithëpërfshirëse që do të ketë një qëndrueshmëri të plotë në këtë sferë. Në këtë skemë do të duhej të përfshihen sigurimet e detyrueshme për të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës. Me sigurim të detyrueshëm do të realizohej një siguri e përgjithshme sociale dhe ajo shëndetësore, e sidomos duke marr parasysh  gjendjen ekonomike në Kosovë. Pos kësaj kategorie të sigurimeve shëndetësore, do të duhej që në këtë skemë të përfshihen sigurimet vullnetare, ku në bazë të masës siguruese do të caktohej premia e sigurimit. Me këtë do të realizohej mundësia për rritjen e kapaciteteve financiare të fondit mbi sigurime shëndetësore. Dhe në mënyrë gjenerale FSSHK-ja angazhohet për kategorinë e tretë të sigurimeve suplementare. Kjo kategori do të përfshinte të gjithë shtetasit që janë në marrëdhënie të punës, që përmes kontributit nga të ardhurat personale të krijohet një masë siguruese që do ti përgjigjet premisë së sigurimit për këtë kategori të qytetarëve.

 

FSSHK-ja konsideron se përveç se përfituesit më të mëdhenj do të ishin qytetarët e Kosovës, edhe punëtorët shëndetësorë do të ishin shtresë përfituese e kësaj skeme sociale.

 

Armend Shkoza BA Iur

Zyrtar ligjor pranë FSSHK-së

 

Statuti i FSSHK-së